Basha në Kuvend: Bundestag i shqetësuar për situatën në Shqipëri, Tahiri dhe vëllezërit “Xhafaj” mbrojtje nga mafia.

Basha në Kuvend: Bundestag i shqetësuar për situatën në Shqipëri, Tahiri dhe vëllezërit “Xhafaj” mbrojtje nga mafia.

Berlini është i shqetësuar për zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe Bundestagu mund të refuzojë votën pro hapjes së negociatave BE-Shqipëri. Deklarata u bë nga Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili konfirmoi se u thirr në Berlin nga autoritetet gjermane , të shqetësuara sipas tij për përkeqësimin e situatës në Shqipëri, 6 javë pas vizitës së Kryeministrit Rama.

Prej 4 javesh po mbahet peng integrimi. Kam qenë në Berlin, jo në vizitë klandestine, por i ftuar nga autoritetet gjermane për të diskutuar shqëtësimin e tyre për përkeqësimin e situatës në Shqipëri pas vizitës së fundit të Ramës në Berlin. Saimir Tahiri- ish ministri i Brendshëm u lirua me një skemë mafioze dhe e njëjta skemë po ndiqet edhe për mbrojtjen  e vëllezërve “Xhafaj.” Në këto kushte Bundestagu dhe askush tjetër nuk mendohet të japë konfirmimin për negociatat. Hapja  e negociatave është instrumenti i vetëm që mund të garantojë presion maksimal ndaj bandës sot në pushtet. Ndaj Kryetar, pezullo seancën,  thirr Edi Ramën dhe Fatmir Xhafajn…!”

Kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi ndërpreu fjalën e kryetarit të PD-së, Basha duke e akuzuar se po mban peng Parlamentin. Ruçi i sugjeroi Bashës që të dorëzonte kërkesë për seancë pyetjesh ose mocion me debat me Kryeministrin.

Zoti Basha s’ ka instrumenta të tjera parlamenti. Kërkesën tuaj shndërroje në seancë interpelancë ose mocion me debat me Kryeministrin dhe menjëherë do të planifikohet për të ardhur. Ndërsa përsa i përket interpretimeve, duhet të kontribuoni vërtet, mos flisini në emër të kancelarive europiane, se flisni në emër të Gjermanisë por në djeninë time dje, Gjermania ka vendosur ta mbështesë hapjen e negociatave me Shqipërinë.”

Punimet e Kuvendit u zhvilluan më pas në kushte jo të zakonshme; në foltore opozita, por pa audio, ndërsa në sallë deputetët  e PS-së bënin sikur po i jepnin rëndësi rendit të ditës në shqyrtimin e akteve nënligjore për agjencitë në varësi të Ministrit të Diasporës.

Pas votimit të projekt-ligjeve, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi mbylli seancën, ndërkohë që po fliste Kryetari i PD-së Basha. Komunikimi i tij me publikun u mundësua më pas në facebook dhe seancën e drejtoi nënkryetari i Kuvendit, Edi Paloka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *