Lobimi për negociatat, Basha takohet me ekipin e Merkel
Berlin, Lobimi për negociatat, Basha takohet me kabinetin “Merkel”
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një komunikim live në llogarinë e tij në facebook deklaroi se ka kërkuar mbështetjen e grupit CDU/CSU në Parlamentin gjerman për hapjen e negociatave të antarësimit në Bashkimin Europian.
“Kemi kërkuar mbështetjen e grupit CDU/CSU për hapjen e negociatave si një akt që do të mbështesë Shqipërinë në një ëndërr që e ndajnë të gjithë shqiptarët, të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian, por edhe si një përpjekje të shtuar për të plotësuar kriteret e paplotësuara në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, reformës në drejtësi, refomës në administratën publike, respektimin e të drejtave të nëpërkëmbura të njeriut, siç e tregoi rasti i fundit i Kukësit. Ndaj në të opozitës, në emër të Partisë Demokratike, kemi kërkuar që ta shohin këtë si një proces, i cili mundëson vazhdimin e betejës për të çmontuar krimin e organizuar dhe kapjen e shtetit nga krimi i organizuar, për të çmontuar narkoshtetin si një problem jetik për Shqipërinë, për të luftuar korrupsionin, për të vendosur të gjithë qytetarët të barabartë para ligjit, për të vendosur në veçanti politikanët e korruptuar dhe me lidhje kriminale para drejtësisë, për të çliruar ekonominë nga monopolet dhe nga oligarkia, për të rikthyer konkurencën si një parakusht i zhvillimit ekonomik që krijon vende pune.”- tha Basha.
Lideri i demokratëve zbardhi edhe agjendën e takimeve të pritshme në Berlin me Kryetarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Komisionit të Çështjeve Europiane të Bundestagut, të cilët e kanë ftuar edhe në një seancë të posacme dëgjimore. Në vizitën lobuese në Gjermani, Kryetari i PD-së shoqërohet nga Kryetari i Grupit Parlamentar , Edmond Spaho, Kryetari i Komisionit Parlamentar të Integrimit, Genc Pollo, Kryetarja e Komisionit të Arsimit dhe Medias, Albana Vokshi dhe Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi.