Ish ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu hodhi poshtë zërat kritikë se Kosova mund të përballet me një situatë të ngjashme me atë çfarë po ndodh në Afganistan.
Në një intervistë për portalin kosovar “ Front online”, ish ambasadori përgëzoi vendimin e qeverisë së Kosovës për të mirpritur refugjatët afganë, pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Një vendim me vend. Duhet ta respektojmë kërkesën e aleatit tonë kryesor, sepse jemi pjesë e demokracisë, synojmë integrimin euro-atlantik. E dyta është aspekti moral, ne kemi qenë vetë refugjatë dhe e dimë ç’ka do të thotë të jesh i përvuajtur”, u shpreh ai për “Front Online”.
Diplomati thekson më tej se një vendim i tillë do të jetë tregues se Kosova është aleat i sigurt i SHBA-ve.
“Në dy aspekte, atë politik sepse Kosova i dëshmon Amerikës, që jemi pjesë dhe aleat i sigurt i tyre. E po ashtu në aspektin e imazhit, Kosova dëshmon një imazh humanitar e njeh dhimbjen e tjetrit dhe është e gatshme të ndihmojë me aq sa mundet”, deklaroi ai për “Front Online”.
Iash ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu e quan vendim strategjik tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani dhe kritikon zërat se një histori e tillë mund të përsëritet edhe në Kosovë.
“S’mund të bëhet paralele. Populli i Kosovës është populli më proamerikan në botë dhe Amerika është mik i yni për të na mbrojtur nga sulmi eventual i pushtuesit, Serbisë. Nuk kemi ç’ka të frikësohemi. Duhet të frikësohemi vetëm nga vetëvetja. S’duhet të lejojmë çfarëdo force radikale të vijë në Kosovë”, theksoi ai për “Front Online”.