Erdogan provokon Tsipras, ndjek helikopterin e tij
Kryeministri grek Tsipras, deklaroi se megjithëse Greqia mirëpret dhe kërkon bashkëpunimin me Turqinë, nuk do t’i shmangej konfrontimit për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të saj sovran.
“Nuk do të pranojmë të negociojmë, as për një centimetër të vetëm të vendit tonë. Ky është vendi ku ata që kanë jetuar gjatë shekujve, dinë si ta mbrojnë atë”- ka thënë kryeministri.
Mbrëmë u raportua për dy avionë luftarakë të Turqisë që “ngacmuan” helikopterin “Chinook”, me të cilin udhëtonte kryeministri grek Aleksis Tsipras dhe shefi i Forcave të Armatosura, Evangelos Apostolakis.
Sipas “Ekathimerini”, ata po fluturonin nga ishulli Ro në Rodos, të martën pasdite, kur avionët luftarakë iu afruan helikopterit grek. Në këtë moment, avionëve luftarakë të Turqisë u është kërkuar të tërhiqen.
Nisur nga situata, piloti njoftoi menjëherë kryeministrin grek Tsipras dhe shefin e Forcave të Armatosura, të cilët kanë kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve. Menjëherë më pas, avionët luftarakë të Turqisë janë tërhequr.