Alarm në hapësirën ajrore ndërkombëtare. Një avion ushtarak amerikan që po fluturonte drejt Antarktidës është detyruar të kthehet në Zelandën e Re, pasi autoritetet paralajmëruan për një aktivitet potencialisht të rrezikshëm në hapësirë.
Avioni amerikan C-17 Globemaster III, me kodin e fluturimit ICE28, u nis nga aeroporti i Christchurch rreth orës 09:00 të së martës, me destinacion bazat amerikane në Antarktidë.
Por rreth dy orë e gjysmë më vonë, avioni u kthye në pikën e nisjes.
Autoriteti i Aviacionit Civil të Zelandës së Re konfirmoi se kishte lëshuar një NOTAM, njoftim zyrtar për pilotët, pas informacionit të marrë nga Korporata Shtetërore Ruse për Menaxhimin e Trafikut Ajror.
Sipas autoriteteve, Rusia kishte njoftuar për një lëshim të planifikuar rakete dhe rrezikun e mundshëm që ai mund të krijonte për hapësirën ajrore ndërkombëtare.
Paralajmërimi përfshinte një zonë gjigante brenda rajonit të informacionit të fluturimeve të Zelandës së Re në Oqean, një hapësirë prej rreth 30 milionë kilometrash katrorë.
Kthimi i avionit amerikan ndodhi në një moment veçanërisht të rëndësishëm për operacionet në Antarktidë.
Fluturimi ishte pjesë e periudhës së përvitshme Winter Fly-in, kur rifillojnë transportet ajrore drejt bazës kërkimore amerikane McMurdo dhe bazës së Zelandës së Re, Scott Base.
Avionët transportojnë personel, pajisje dhe furnizime përpara sezonit veror të kërkimeve shkencore.
Deri tani, nuk është bërë e ditur se çfarë rakete do të lëshohej, nga cili vend dhe nëse ky ishte shkaku i drejtpërdrejtë i kthimit të avionit amerikan.
Një fluturim rutinë drejt Antarktidës u ndërpre papritur.
Dhe pas paralajmërimit rus për një lëshim rakete, pyetja që mbetet është: çfarë po ndodhte në qiellin mbi Oqeanin Paqësor?



