Bastiset redaksia, mbyllet portali në Hong-Kong

Portali i vetëm pro-demokratik në Hong Kong, “Stand News”, u mbyll pasi policia bastisi redaksinë duke arrestuar 6 gazetarë , mes tyre edhe kryeredaktorin me akuzën e publikimit të lajmeve, që cënojnë sigurinë kombëtare.

Portali njoftoi në faqen e tij ne Facebook se, po e ndërpriste mënjeherë punën pasi policia kishte arrestuar pjesën më të madhe të stafit dhe kishte sekuestruar kompjuterat e dokumentet, që ndodheshin në redaksi.

Shefi i Policisë së Hong Kongut në një deklaratë për shtyp njoftoi arrestimin e gazetarëve të Stand News nën akuzën e cënimit të sigurisë kombëtare duke i quajtur ata, si armiqtë e lirisë së shtypit, pasi sipas tij kishin përdorur median për të rrezikuar sigurinë kombëtare.

Organizatat ndërkombëtare të mediave reaguan për ngjarjen. Reporterët pa Kufij kërkuan nga autoritetet të urdhërojnë lirimin e menjëhershëm të gazetarëve dhe u bënë thirrje vendeve demokratike të reagojnë njëzëri për të shpëtuar atë çfarë ka mbetur nga shtypi i lirë në territor.

Autoritetet e Hong Kongut kanë ashpërsuar përndjekjen ndaj gazetarëve dhe aktivistëve pas miratimit të një ligji mbi sigurinë kombëtare.

Kritikët thonë se ligji në mënyrë efektive redukton autonominë gjyqësore të Hong Kongut dhe e bëri më të lehtë ndëshkimin e demonstruesve dhe aktivistëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *