Liderët botërore zbarkojnë në Britani për klimën
Konferenca historike për ndryshimet klimatike do të mbahet në Glasgow të Mbretërisë së Bashkuar, ku liderët botërorë pritet të zotohen për masat urgjente, që duhet të ndërmerren për të reduktuar rritjen e temperaturave në 1.5 gradë celcius, pak a shumë si temperaturat, që ishin në kohën para-industriale.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, duke folur për BBC-në bëri thirrje që udhëheqësit botërorë të lëvizin nga aspirata në veprim për ngadalësimin e ngrohjes globale dhe la të kuptohet se do të lëvizte edhe ai vetë drejt propozimeve për mbylljen e minierave të qymyrit.
BBC e komenton si një deklaratë të fortë zotimin e kryeministrit Johnson, duke shprehur bindjen se mund të ndihmojë në negociatat edhe me liderët e tjerë botërorë, që të mbështesin projektet për mbylljen e minierave të qymyrit.
Mbretëria e Bashkuar po e pret samitin mes shqetësimeve në rritje mes shkencëtarëve se, vendet nuk po bëjnë mjaftueshëm për të kufizuar emetimet e gazrave serrë, të cilat kanë shkaktuar rritjen mesatare të temperaturave globale.
Konferenca klimatike e Parisit e 2015-ës bëri thirrje që temperaturat mesatare të rriten mundësisht vetëm 1.5 gradë celcius.
Britania, përmes kryeministrit Johnson premtoi të shtojë 1 miliard paund në fondin që qeveria ka caktuar për të ndihmuar vendet në zhvillim, në 4 vitet e ardhshme.
Qeveria e ka pranuar tashmë se bota e zhvilluar nuk do të përmbushë plotësisht një premtim të bërë në 2009-ën për t’u paguar vendeve më të varfra 100 miliardë dollarë në vit për të ndihmuar në trajtimin e ndryshimeve klimatike.
Qeveria është kritikuar gjithashtu për shkurtimin e ndihmës së huaj këtë vit.
Johnson u bëri thirrje vendeve të tjera të zhvilluara që të japin më shumë para.
Ai tha gjatë intervistës në BBC se, dy qëllimet e tjera qëndrore të konferencës për ndryshimet klimatike do të ishin bindja e liderëve botërorë që të angazhohen për përshpejtimin e tranzicionit larg makinave me benzinë dhe naftë dhe për të ndaluar shpyllëzimin.