Dijetarët islamikë do të vendosin për të drejtat e grave në Afganistan

Agjencia Reuters konfirmoi nga një kontakt me komandën e lartë talibane se një këshill dijetarësh islamikë do të vendosin për të drejtat e grave dhe vajzave në Afganistan.

Nëse vajzat do të lejohen ose jo të shkojnë në shkollë do të vendosin dijetarët tanë. Ata do të vendosin edhe nëse gratë duhet të mbajnë hixhab, burka, abaya apo veshje tjetër. Kjo varet nga ata“, ka thënë Waheedullah Hashimi, një udhëheqës i lartë Taliban.

Hixhab quhet shalli, që mbulon kokën, burka është një veshje përmes së cilës mbulohet i gjithë trupi duke lënë vetëm sytë e pambuluar, ndërsa abaya është një veshje, që e lë fytyrën të pambuluar.

Në konferencën e parë për mediat, zëdhënësi i talibanëve deklaroi se gratë do të lejohen të punojnë dhe të ndjekin shkollën brenda kornizës së ligjeve të Islamit.

Të mërkurën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe 19 vende, përfshirë Shqipërinë nënshkruan një deklaratë të përbashkët përmes së cilës kërkojnë respektimin e të drejtave të grave dhe vajzave afgane.

Talibanët morën kontrollin e Afganistanit pak ditë nga tërheqja e trupave amerikane, të dislokuara atje prej afro 20 vitesh. Presidenti dhe ushtria afgane nuk bënë rezistencë duke e lënë vendin në duart e tyre.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej tri ditësh kanë nisur një operacion humanitar për evakuimin e trupit diplomatik, zyrtarëve afganë, gazetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile mes tyre edhe përkthyesit, të cilët kanë punuar me trupën ushtarake shumëkombëshe.

Por në orët e vona të mbrëmjes burimet diplomatike amerikane kanë raportuar një situatë kaotike përreth aeroportit të Kabulit, ku talibanët po ndalojnë popullsinë afgane të largohet nga vendi/REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *