Tenderi për uniformat në polici, ndalohen 9 punonjësit e ministrisë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar lëshoi urdhër-arrestet për 9 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme.
Të ndaluarit janë staf i Agjencisë së Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme dhe ishin vënë nën hetim për tenderin e “Uniformës në Polici”, 2.8 milion lekë, pas kallëzimit të bërë nga Partia Demokratike me dyshimet për abuzime dhe pabarazi në tendera.
Ish- Drejtoresha e Agjencisë së Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme ishte liruar nga detyra një javë më parë me urdhër të Ministrit Blendi Çuçi.
Policia ushtroi mbrëmë kontrolle edhe në banesat e punonjësve të Ministrisë së Brendshme.
Në deklaratën e SPAK nuk jepet informacion nëse ish ministri Sandër Lleshi dhe ish Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Plarent Ndreca, të kishin ndërmarrë auditime për tenderin, e denoncuar për abuzime nga PD-ja dhe nëse ata janë hetuar nga SPAK për ndonjë influencë mbi vartësit e tyre.