Rama në të njëjtën linjë me Çuçin: Fajin e kanë gjykatat, policia është në proces rritjeje

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në të njëjtën linjë me ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, në bashkëbisedimin e tij me mediat, duke iu referuar rasteve të shtuara të krimit dhe aksidenteve në vend, ndërsa tha se fajin për këtë situatë nuk e ka policia, por gjykatat që janë në proces pastrimi nga Vettingu.
“Policia e Shtetit nuk është në asnjë situatë problematike, por në një proces rritjeje dhe fuqizimi të mëtejshëm. Nuk ka problematikë më të madhe sec kishte para këtyre ngjarjeve, kur gjërat dukeshin normale. Nuk di se si të shpjegoj që rastet konkrete shihen ne kontekst”, tha Kryeministri që u pyet nga gazetarët edhe nëse do të shkarkonte drejtorin e Policisë Ardi Veliu.
“Nëse do niseshim nga rastet për të hequr njerëz, s’do kishte ngel më njeri që të merrte. Nëse i referohemi disa ngjarjeve me ‘ngrëniet e kokave’ duhet të shikojmë edhe aty reagimin e policisë, dhe ndalimin e autorëve. Nuk ka krizë në Policinë e Shtetit, kjo është e qartë për mua, bazuar në fakte kontekst e në trende. Puna e Policisë nuk hidhet dot poshtë se ndodhën disa ngjarje tragjike”, tha Kryeministri.
Duke iu referuar aksidenteve rrugore, marrë shkas dhe te aksidenti me pasojë shuarjen e një familje prej 4 anëtarësh në aksin Vlorë-Fier, kryeministri Edi Rama, bëri apel për kujdes.
Ai tha se nuk është e gjitha përgjegjësi e Policisë së Shtetit, pasi aksidentet janë përgjegjësi individuale. “A është numri aksidenteve sot, i ulët, jo nuk është, por në rrugë janë qindra mijëra individë të cilët kanë detyrën e vet karshi ligjit, familjes, sepse në rrugë mund të vrasësh dhe mund të vritesh. Mund të lësh fëmijët jetimë, ose prindërit pa fëmijë. Jam i shqetësuar në mënyrën se si ne mund të përmirësojmë punën tonë. Ngjarje që janë kulminante nga pikëpamja e numrit të viktimave të kthehen në arsye, për ta parë Shqipërinë si një vend, ku turistët duhet të kthehen, prej frikës, është e tepërt. Nuk ndihmon në adresimin e problemit real. Shikoni në sa raste Policia e Shtetit ka çuar para gjykatës shkelës të ligjit, edhe për shpejtësi. Nuk ka një sistem tjetër. Ne s’po rrimë duarkryq, po bëhet pastrimi i gjykatave, por kjo kërkon kohë. Rezultatet kërkojnë kohën e tyre”, tha Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *