Si do të mbijetojë Evropa pa kafe, verë dhe çokollatë…

Ekspertët thonë se ngrohja globale shkaktoi ngricat që mbërthyen rajonet e rritjes së verës në Francë, vitin e kaluar.

Një i ftohtë i rrallë, që shkatërroi industrinë e verës në Francë, në pranverë të vitit të shkuar mund të jetë shkaktuar nga ndryshimet klimatike, sipas një studimi që parashikon se, furnizimet me kafe dhe çokollatë në Evropë mund të pësojnë ulje të ndjeshme për shkak të thatësirës.

Prodhuesit e verës në Francë u shqetësuan pasi një ngricë e papritur goditi vreshtat e tyre në prill.

Një studim i botuar nga “World Weather Attribution”, një konsorcium që studion motin, sugjeron se ekziston një mundësi e fortë, që ngrohja e tokës të ketë luajtur një rol në ketë ngjarje.

Ekipi i studiuesve, nga universitetet më të njohura në Evropë, përfshirë Oksford, zhvilluan simulimet e modelit kompjuterik mbi dukuritë e motit në Francë, deri tek ngrica e papritur, që përfshiu disa rajone atje.

Temperaturat e larta, jashtë normales, kishin ndikuar, që frutet në vreshta të piqeshin para kohe, duke i ekspozuar nga ngricat, që mbërthyen zonat e prodhimit të verës në Francë.

Ndërkohë në një tjetër studim shprehej shqetësim se, ndryshimet klimatike do të ndikonin edhe në furnizimin e Evropës me kafe dhe çokollatë, për shkak të thatësirës së madhe, që ka prekur vendet prodhuese si, Brazili.

Studimi, i botuar në gazeten “Nature Communications”, paralajmëron se rrezikohet edhe importi i vajit të palmës, i cili përdoret në shumë produkte ushqimore.

Tek ky botim, ekspertët parashikuan një rritje të dukshme të rrezikut të thatësirës për prodhimet bujqësore, të cilat importohen nga BE-ja.

Ata thanë se, edhe nëse emetimet e karbonit reduktohen, thatësira ka mundësi të rritet me 37 përqind në 25 vitet e ardhshme.

Studiuesi, Ertug Ercin, që udhëhoqi hulumtimin për “R2Water Research” dhe Universitetin “Vrije” të Amsterdamit në Holandë, tha se: “Pasojat e ndryshimeve klimatike nuk po ndodhin vetëm brenda kufijve të vendeve prodhuese. Studimi jep dëshmi se si ne jemi të ndërlidhur në nivel global përmes tregtisë dhe se si fatkeqësitë klimatike jashtë kufijve mund të prekin jetën tonë, në mënyrë direkte dhe mund të jenë të rëndësishme për shoqërinë dhe ekonominë tonë. Nuk mund ta injorojmë më atë.

Autorët e studimit përfunduan se: “Në të ardhmen e afërt, furnizimet e produkteve në BE mund të ndërpriten për shkak të rritjes se thatësirës në pjesë të tjera të botës. Kafeja, kakaoja, kallam- sheqeri, vaji i palmës dhe soja janë produktet, që rrezikojnë të preken nga ndryshimet klimatike.”

Për rrjedhojë, studiuesit parashikojnë se evropianët, në vitet e ardhshme do të paguajnë shumë më shumë për kafen e mëngjesit, çokollatën, që iu rregullon humorin dhe verën e mbrëmjeve romantike.

Përshtati në shqip: Oriada Shehu

Linku origjinal i artikullit:

https://www.independent.co.uk/climate-change/news/droughts-french-wine-supply-coffee-b1867011.html

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *