Çfarë nuk shkon me deklaratën e ministrit për hetim penal në rast mbytjeje?
Ministri i Turizmit Blendi Klosi u ka kërkuar sot nga Saranda operatorëve turistikë dhe pronarëve të plazheve private të marrin masat për të garantuar sigurinë e pushuesve gjatë sezonit turistik. Në një takim me Komitetin e Menaxhimit të Sezonit turistik, ministri i Turizmit tha se “çdo humbje jete në plazh shënon hapjen e një hetimi penal për poseduesin e plazhit provat apo pronarin e hotelit, në rast të mungesës së rojës së plazhit”,- tha Klosi.
Kjo deklaratë e ministrit e shumëfishuar në media është e papërgjegjshme dhe tallëse, sepse nuk mund të implementohet në mënyrën si u tha: Është e vërtetë që poseduesi i hotelit ose në rast se nuk ka hotel, i plazhit privat, e ka detyrim ligjor shërbimin e ruajtjes së jetës, por funksionimi i këtij shërbimi në Shqipëri, që thuajse është inekzistent, nuk mund të realizohet me ca fjalë të ministrit para ca mikrofonave buzë detit.
Duhet përgatitur një metodologji e qartë për funksionimin e shërbimit të rojes detare në bashkëpunim mes strukturave shtetëore dhe shërbimit hotelier, kur bëhet fjalë për një çështje kaq të rëndësishme, siç është ajo e shpëtimit të jetës së pushuesve.
Është tallëse deri në sarkazëm, kur deklaron se do të hapet hetim penal për fajtorin, në një kohë kur hotelet janë ngjitur me njëri –tjetrin në vijën bredgetare të vendit, kur plazhet në Durrës – Golem psh., ndahen mes tyre me një copë litar, kur pronarët vendosin një karrige me flamur si vendin e rojes bregdetare, kur nuk ka një shërbim të specializuar profesional për rojen bregdetare dhe ajo që është më e rëndësishmja, kur strukturat e vetme shtetërore për këtë punë, shërbejnë vetëm si qokë për ndonjë vend pune në pushtetin lokal.
Derisa situata të trajtohet me seriozitet, strukturat shtetërore respektive do të bëjnë mirë të shikojnë “Baywatch”-in./ Rojtar.com