Kremlini i hedh “ujë të ftohtë” takimit Putin-Biden
Takimi mes dy presidenteve më të fuqishëm të botës ka nisur në Gjenevë.
Presidenti i SHBA-ve, Jo Biden dhe Presidenti i Rusisë, Vadimir Putin u takuan “ballë përballë” me njëri-tjetrin.
“Ashtu siç dhe thashë, mendoj se gjithmonë është më mirë kur takohesh ballë për ballë”,– tha Presidenti Biden, në pak sekondat e prezencës së medias në dhomën e takimit, që me siguri ishte blinduar nga elementët e sigurisë, duke konsideruar faktin se, e gjithë Gjeneva ishte në “shtet rrethim” nga numri i madh i forcave të sigurisë, por edhe prania e mbi 1000 gazetarëve dhe kameramanëve.

Presidenti Putin, si mikpritës i takimit, fakt ky i mësuar vetëm nga disa elementë të protokolleve zyrtare, tha se ai shpresonte që takimi mes tyre të ishte frytdhënës.
Por më herët, zëdhënësi i Kremlinit, në një prononcim për televizionin shtetëror kishte deklaruar se, bisedimet mes dy lidërve botërore, Vladimir Putin, President i Rusisë dhe Joe Biden, President i SHBA-ve, mund të jenë shumë të vështira.
Zëri zyrtar i Kremlinit, Dmitry Peskov kishte shpjeguar se, të dy Presidentët kanë shumë çështje të lëna pezull për të trajtuar, duke shtuar se, shefi i tij shkonte në këtë takim me dëshirën për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.
Deklarata e tij u hodhi “një kovë me ujë të ftohtë” parashikimeve se, takimi Biden-Putin në Zvicër do të ngrohte marrëdheniet e tensionuara mes dy vendeve.
“Gjithashtu nuk ia vlen dhe është e pamundur të presësh ndonjë përparim. Situata në marrëdhëniet Rusi-SH.B.A është shumë e vështirë. Por fakti që të dy presidentët kanë vendosur të takohen dhe të fillojnë të flasin hapur për problemet, është në vetvete një arritje“, -u shpreh zëdhënësi i Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Takimi mes Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden dhe Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin po mbahet në “Villa la Grange”, në Gjenevë, kryeqytet i Zvicrës dhe po ndiqet nga afro 1000 gazetarë nga e gjithë bota.