Ja kur mund të miratohet vaksina ruse nga EMA
Aprovimi nga Komisioni Evropian i vaksinës ruse kundër koronavirusit, Sputnik V, do të shtyhet për arsye se, u tejkalua afati për përpunimin e të dhënave brenda 10 qershorit.
Një zyrtar i qeverisë gjermane tha për “Reuters” se, dështimi për të siguruar të dhënat e nevojshme të provave klinike për strukturat përgjegjëse të KE-së, do të bëjë që procesi të shtyhet të paktën deri në shtator.
“Miratimi i Sputnik do të shtyhet ndoshta deri në shtator, ndoshta deri në fund të vitit,” tha zyrtari gjerman.
Pritej që Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) të përfundonte procesin e vlerësimit dhe të jepte vendimin lidhur me vaksinën ruse në maj ose qershor.
Një burim tjetër për Reuters tha se, duke qenë se u tejkalua afati i vendosur për në 10 qershor, EMA i ka dhënë afat një javë shtesë zhvilluesit të vaksinës, institutit “Gamaleya”, për të plotësuar të dhënat.
Fondi rus i Investimeve Direkte (RDIF), që është tregtuesi i vaksinës, tha se vlerësimi nga EMA është duke u kryer.