“SHBA-Shqipëri” firmosin për sigurinë teknologjike

Shqipëria nënshkroi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrëveshjen për teknologjinë 5G, një dokument, që do t’u ndalë rrugën kompanive, që do të ofrojnë këtë shërbim pa certefikimin e Uashingtonit.

Kjo marrëveshje e rrallë në llojin e saj u nënshkrua në Bruksel mes Sekretarit Amerikan të Shtetit , Antony Blinken dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Në deklaratat e dy zyrtarëve, që firmosën marrveshjen për një komunikim të sigurt të teknologjisë 5G, u theksua rëndësia e sigurimit të komunikimit teknologjik në të gjithë rajonin e Ballkanit, lobim që duket se është marrë përsipër nga Kryeministri i Shqiërisë, teksa deklaroi se prej disa vitesh u ka kërkuar vendeve të rajonit, që të behën bashkë për të siguruar një korridor të sigurt të komunikimit.

Deklaratat pas firmosjes së marrëveshjes:

Antony Blinken: Zoti Kryeministër faleminderit shumë, së pari, që jeni sot këtu, por çka është më e rëndësishme, ju faleminderit për punën që kemi bërë sëbashku. Mendoj që po vendos një shembull mjaft të fortë për të tjerët sot, për nevojën për t’u siguruar kur bëhet fjalë për rrjetet më të ndjeshme të teknologjisë, që kemi ne sot dhe të punojmë me shitës të besuar. Mendoj që kjo është shumë e rëndësishme e një mesazh shumë i fortë për t’i dërguar të tjerëve dhe çfarë është më e rëndësishme, jemi mirënjohës për punën që SHBA dhe Shqipëria kanë bërë sëbashku në shumë fusha të ndryshme, përfshirë dhe stërvitjen “Defender 21”, që është përmbushur me kaq shumë sukses. Presim me padurim që të merrni vendin tuaj në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara. Kemi shumë punë të mira për të bërë dhe atje dhe në të gjitha aspektet, ky partneritet po bëhet më i fortë dhe më i thellë dhe ne e vlerësojmë shumë lidershipin tuaj për ta bërë këtë.

Edi Rama: Faleminderit shumë! Për mua e për ne në Shqipëri është një moment shumë i rëndësishëm, sepse, siç besoj ju e dini, kemi ndërmarrë këtë nismë nga ana jonë që prej disa vitesh e duke i kërkuar edhe të tjerëve, vendeve në rajon që të bëhen pjesë e që të gjithë sëbashku të bëjmë përpjekje për një korridor të sigurtë komunikimi e për ta vënë këtë korridor komunikimi të shërbimeve shumë kritike në duart e qytetarëve të Shqipërisë, institucioneve shqiptare, forcave të sigurisë e të mos lejojmë që të komprometohet nga aktorë të tretë, që nganjëherë janë aktorë dashakeqë. Ndaj është përherë krenari për Shqipërinë, që të jetë krah jush dhe që të jetë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës përherë. Kështu që faleminderit shumë për këtë e shpresoj që sëbashku, ne të mund t’i bindim edhe miqtë e tjerë në rajon për tu bërë pjesë e kësaj.

Antony Blinken: Faleminderit! Ju po vendosni një shembull mjaft të mirë. Ju jemi mirënjohës që ju kemi si partnerë dhe aleatë. Faleminderit!

Marrëvëshja SHBA-Shqipëri për Teknologjinë 5G nuk u zbërthye në detaje nga dy firmëtarët, por Kryediplomati amerikan u kujdes të theksonte se, përmes këtij dokumenti u dërgohej një mesazh i fortë të tjerëve, duke nënkuptuar Kinën, pasi në deklaratat e paraardhësve të tij dhe të diplomatëve të akredituar në Shqipëri është kërkuar hapur, që të mos lejohen kompanitë kineze të marrin shërbimin e rrjetit 5G, për shkak të ndjeshmërisë së të dhënave, të cilat përpunohen përmes platformave digitale e që lidhen edhe me sigurinë kombëtare.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *