Tirana pret të pushtetshmit e Ballkanit
Kryeministri i Shqipërisë po organizon sot në Tiranë, samitin e udhëheqësve të Ballkanit Perendimor, me pjesëmarrjen edhe të Komisionerit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë.
Seanca plenare, në Pallatin e Brigadave, në Tiranë, u parapri nga takimet bilaterale të Kryeministrit Edi Rama me homologët e tij nga Serbia, Bosnjë Hercegovina, Maqedonia e Veriut si dhe Presidentin e Malit të Zi dhe Komisionerin Europian, Oliver Varhelyi.

Në një status në twitter, të këtij të fundit, konfirmoheshin diskutime mbi zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve, të paraqitura për rajonin nga Komisioni Europian si dhe përgatitjet për Samitin e Berlinit, që do të mbahet më 5 korrik.

Referuar njoftimit të zyrës së shtypit të Kryeministrit të Shqipërisë, “Samiti i Tiranës”, që nisi punimet sot, vjen pas turit të tij në Hungari, Bullgari dhe Rumani për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Ky sqarim nga Kryeministria nuk përfshin njoftimet e një dite më parë, ku theksohej lobimi që Kryeministri Rama po bënte në Bullgari për të ndërmjetësuar zgjidhjen e konfliktit me Maqedoninë e Veriut, që po mban peng çeljen e negociatave të anëtarësimit edhe për Shqipërinë, pasi institucionet europiane janë dakordësuar, që të dy vendet të përfshihen në të njëjtën kohë në procesin e anëtarësimit.