EULEX denoncohet nga ish gjykatësi

Malcolm Simmons, ish-gjykatës i EULEX-it, përmes një letre të hapur i kërkon Kryeministrit të Kosovës, që të inicojë hetim parlamentar për Misionin Europian të Sundimit të Ligjit, duke e akuzuar atë për manipulim të proceseve gjyqësore në këmbim të qëllimeve politike.

Letra e plotë drejtuar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, botuar nga RTK.

Ekselenca e Juaj,

Tani ka disa muaj që e kam ftuar Kuvendin e Kosovës të kryejë një hetim parlamentar publik për administrimin e drejtësisë në Kosovë nga Misioni Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX.

Të bashkangjitur do ta gjeni deklaratën, e cila i përmbledh çështjet për të cilat jam gati të dëshmoj nëse ftohem për ta bërë një gjë të tillë.

Unë besoj se ju do të pajtoheni se, deklarata ime ngre çështje brengosëse dhe serioze, të cilat kërkojnë një hetim të plotë dhe publik nga Kuvendi i Kosovës. Nga deklarata ime do të shihet qartë pse ju nuk duhet të keni besim në Bashkimin Evropian për kryerjen e një hetimi të plotë, te pavarur dhe transparent.

Ekzistojnë rekomandime se, Kuvendi i Kosovës nuk ka të drejtë të kryejë hetime në lidhje me administrimin e drejtësisë në Kosovë nga EULEX-i. Një gjë e tillë nuk është korrekte.

Kosova është shtet sovran dhe është vetë përgjegjëse për administrimin e drejtësisë në Kosovë. Unë jam dërguar në EULEX nga Zyra për Punë të Jashtme dhe e Komonueltit të Mbretërisë së Bashkuar. Caktimin tim e ka konfirmuar Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe formalisht jam caktuar nga Kryetari i Kosovës.

Prej 2008 deri në 2017 kam shërbyer si Gjyqtar i Kosovës nëpër Gjykata të Kosovës.

Prej 2014 deri në 2017 kam qenë Kryetar i Gjyqtarëve të EULEX-it. Unë kam qenë i përfshirë në administrimin e drejtësisë në Kosovë.

Në lëndët të cilat unë dhe koleget e mi i kemi gjykuar si kryetar të trupit gjykues, janë përfshirë qytetarët e Kosovës ose/dhe veprat penale të kryera në Kosovë. Është me rëndësi se gjyqtarët e EULEX-it kanë administruar me drejtësinë në emër të popullit të Kosovës.

Prandaj unë mendoj se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje se si është administruar drejtësia në emër të tyre nga ana e EULEX-it.

Dështimi i Kuvendit të hetojë këto çështje do t’i shërbente dëmtimit të mëtejshëm të drejtësisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë.

EULEX është mision politik, që maskohet si një mision mbi sundimin e ligjit. Këtë mision e ka ftuar populli i Kosovës për të ndihmuar në reformat e administrimit të drejtësisë.

Në vend të promovimit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, EULEX-i e ka dëmtuar sundimin e ligjit dhe ka manipuluar me procesin gjyqësor për të arritur objektivat politike.

Qëllimi im nuk është të zbuloj ndonjë informatë në lidhje me hetimet penale që janë duke u zhvilluar apo ta shpalosë identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur apo ndonjë informatë, që do të mund të rezultonte në identifikimin e dëshmitarit të mbrojtur.

Më tutje, unë nuk kam qëllim të publikoj ndonjë dokumentacion, i cili është i klasifikuar si dokument “I Kufizuar i BE”. 


Mirëpo, me pajtimin e Bashkimit Evropian, unë do t’i dorëzoj Kuvendit çfarëdo materiali të tillë, që është relevant në hetimin tuaj.

Unë jam gati të bashkëpunoj me Kuvendin dhe e mirëpres përgjigjen tuaj.

Me nderime,

Malcolm Simmons.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *