Partia Demokratike kërkon përjashtimin e 7 gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor; A duhet të shkohet drejt Gjykatës së Strasburgut?

Partia Demokratike kërkoi sot përjashtimin e 7 prej 8 gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, që sipas saj refuzuan transparencën e zgjedhjeve në 3 qarqe.

Në reagimin e saj PD-ja thekson se këta gjyqtarë nuk garantojnë paanshmëri në gjykim për 6 paditë e tjera të depozituara pranë Kolegjit Zgjedhor.

PD po ezauron kështu, pa sukses, të gjithë hapat ligjorë të disponueshëm për të bërë atë që selia blu e quan transparencën e zgjedhjeve të 25 prillit, pa marrë ndonjë rezultat që mund të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve të fundit parlamentare.

“Kërkojmë përjashtimin e 7 prej 8 gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, që kanë rrëzuar paditë për Gjirokastrën, Vlorën dhe Beratin. Me vendimet e dhëna deri tani, këta gjyqtarë, njësoj si komisionerët politikë të KAS, refuzojnë transparencën mbi masakrën zgjedhore te 25 prillit. Refuzimi i i kërkesave të PD për marrjen zyrtarisht të provave i vendos këta gjyqtarë në pamundësi për të gjykuar me paanësi 6 kërkesat e tjera të ngjashme te PD për blerjen e votës dhe deformimin e rezultatit të zgjedhjeve përmes përdorimit të shtetit në funksion të PS”, thuhet në reagimin zyrtar të PD-së.

Duke marrë parasysh faktin që Partia Demokratike, këtë radhë nuk ka zgjedhur rrugën e protestave apo të bojkotit të Parlamentit, por rrugën ligjore, tani që po ezauron ndërmarrjet ligjore brenda vendit, qoftë edhe formalisht, duhet t’i drejtohet Strasburgut, nëse me të vërtetë do të përfundojë atë që ka nisur, aq më tepër që vazhdimi i ankimimeve duket i pakuptimtë.

Në kërkesën për zëvendësimin e 7 gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, PD argumenton se duke qenë se këta gjyqtarë e kanë shprehur tashmë mendimin e tyre kundër kërkesave të PD për zgjedhjet, ata do të vazhdojnë me të njëjtin qëndrim. Kjo bën që vendimet e tyre për 6 paditë e tjera të PD të jenë të paracaktuara, në shkelje të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor për një proces të paanshëm. PD vlerëson se vazhdimi i ankimimeve me të njëjtën trupë zgjedhore, e cila është shprehur 3 herë me radhë kundër kërkesës së PD për transparencën e zgjedhjeve, është në shkelje të parimeve themelore të Gjykatës së Strasburgut për dhënien e drejtësisë.”, thuhet në reagimin e PD-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *