Asambleja Socialiste, lajmi i mirë është kuota prej 30% e “shoqeve”

Kishte kohë që nga Partia Socialiste nuk vinin lajme, pasi ato ishin eklipsuar nga lajmet e qeverisë, sic ndodh me të drejtë, kur partia është në pushtet dhe lajmet parti – qeveri shkrihen në një.

Por sot, nga Asambleja Socialiste erdhi fjalimi më patetik – i dëgjuar ndonjëherë në selinë rozë – i Sekretarit Organizativ Arben Pëllumbi, që të vriste veshin me “shoqet” socialiste, të cilat i lakonte në të gjitha rasat, pa përtim, përkundrazi, me zell.

“Në efektivin e partisë, 30050 janë shoqe, të cilat përbëjnë 27.8 përqind të anëtarësisë nga 26.7 përqind vitin e kaluar. Aktualisht janë 1678 shoqe më shumë se 2019. Në qarqet Vlorë, Tiranë, Gjirokastër, Korçë, Lezhë është plotësuar detyrimi statutor për të pasur mbi 30 % shoqe në anëtarësinë e tyre”, tha Pëllumbi ndërsa numëronte shoqet e PS-së, pa qenë në dijeni se ky 30% që artikulonte aq pa finesë, jo vetëm është diskriminim dhe fyerje ndaj rolit real të gruas në politikë, por vulgarizon edhe përfshirjen e grave në qeveri dhe më tej, që kryetari i Partisë Socialiste, në fakt, ka ditur ta servirë me elegancë dhe besueshmëri në publik.

Gjithashtu, Pëllumbi na lajmëroi se Partia Socialiste e Shqipërisë ka institucionalizuar tashmë patronazhistët, si “bazën e piramidës së strukturës elektorale të partisë”. Jo vetëm kaq: në përpjekje për ta thjeshtuar si një proces organizativ të strukturave të Partisë, ai deklaroi se patronazhistët “kontaktuan, komunikuan, sqaruan të patronazhuarit”; kur të gjithë e vërtetojnë lehtësisht nga hulumtimet e exel-eve dhe lojërat “gjeje patronazhistin” që vërshuan në rrjete sociale e media, se ky nuk mund të ishte një proces i mbledhjes së të dhënave personale nga komunikimi, kur i patronazhuari nuk e njihte patronazhistin. “Ata përballuan një superngarkesë elektorale me kontaktet, sqarimet, komunikimet e tyre me të patronazhuarit, e cila qe ndër faktorët e rëndësishëm të fitores”, thotë Pëllumbi.

Lajmet që na erdhën sot nga Sekretari Organizativ i PS-së arritën të eklipsonin edhe njoftimin e kreut të grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, mbi “hapjen më të madhe reale që ka parë ndonjëherë historia e PS”, përgatitjet për “zgjedhjet e brendshme në parti”, por që megjithë përpjekjet, nuk do të ngrihen dot në nivele më të larta, se ato të drejtuesve politikë të qarqeve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *