Po sikur të mos i kishim parë videot e Enkeledës duke bërë “modeling” në zyrë?
Kanë vërshuar ditën e sotme në mediat sociale reagime të zyrtarëve dhe publikut ndaj videove të bëra publike për kryegjyqtaren e Elbasanit, e cila shihet në rrjetin Tik – Tok, duke sifiluar në zyrën e saj dhe duke kënduar dhe kërcyer me një këngë tallava që ka në refren fjalët “mafia –mafia”.
Lidhur me publikimin e këtyre videove ka reaguar edhe zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, e cila, përmes një njoftimi thotë se për magjistraten ka nisur hetimi disiplinor.
Ka reaguar gjithashtu, edhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj e cila i ka cilësuar “të pakomentueshme shfaqjet e gjyqtares së Elbasanit”. Është e vërtetë që pamjet e gjyqtares nuk kanë nevojë për koment, pasi minimalisht nuk janë të hijshme për pozicionin që ajo mban e profesionin që ka, dhe maksimalisht, përbëjnë shkelje të qartë të Kodit të Etikës së gjyqtarëve, për shkak se janë xhiruar në ambientet e zyrës së saj.
Në rast se do të ishte video në një ambient privat dhe në rast se protagonistja nuk do të kishte një status të vecantë si ai i gjyqtarit, videoja nuk do të bënte asnjë përshtypje, por do të konsiderohej si video e një biondeje bukuroshe, ish – mis-i, sic ka qene Enkeleda, që këndon në dush.
Situata është ndryshe dhe reagimet janë të justifikuara. Por më shumë se “modeling-u” i gjyqtares, duhet të bëjë përshtypje një fakt që del nga reagimi i sotëm i ministres Gjonaj: “Është për të ardhur keq që qysh prej dhjetorit 2019, i kam kërkuar me shkrim KLGJ-së verifikimin dhe marrje mase për gjyqtaren pas lirimit të një subjekti kriminal”, thotë ministrja. Pra, institucionet u vunë sot në lëvizje për të proceduar gjyqtaren nga një këngë tallava dhe sfilatë e saj nëpër video, të cilat nuk dihet si dhe pse kanë përfunduar në Tik – Tok; dhe nuk janë vënë në lëvizje në muajin dhjetor, kur ministrja e Drejtësisë ka bërë kërkesë me shkrim, po për këtë gjyqtare, për shkak të lirimit të një krimineli.
Kjo është më e rëndë për institucionet, sesa vetë videoja e Enkeledës në Tik – Tok.
“Tani uroj që jo vetëm të merret masa e duhur, por edhe të hetohet në mënyrë të thelluar gjendja pasurore e kësaj gjyqtareje”, thotë ministrja.
Duket se indiciet për lirimin e një krimineli të zyrtarizuara nga ministrja kanë qenë me më pak peshë, sesa videoja në Tik – Tok që fatmirësisht vuri brenda pak orësh në lëvizje institucionet. Kjo mund të jetë e pranueshme për publikun e gjerë që priret të reagojë ndaj “incidenteve të tilla sociale”, sepse janë të thjeshta për t’u pikasur nga shqisat, por jo për institucionet e shtetit shqiptar që duhet të shkojnë më larg se kaq.