Nisja e fushatës nga Agron Shehaj, shkurt, saktë… me gabime
Agron Shehaj doli sot për herë të parë para mediave në një konferencë për shtyp si kandidat për kryetar i Partisë Demokratike. Ai zgjodhi t’u përgjigjet shkurt, qartë dhe prerazi pyetjeve të gazetarë, pa hyrë në shtjellime dhe zgjatje të përgjigjeve, sic bëjnë shumica e politikanëve dhe që në fakt, rëndomë janë të panevojshme. I pyetur se cilat ishin arsyet që sipas tij Partia Demokratike humbi zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, – krahas shitblerjes së votës që e cilësoi një problem të qenësishëm – Shehaj listoi dy arsye themelore: djegien e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale. I pyetur nëse ai vetë kishte qenë pro djegies së mandatave, Shehaj tha se kishte qenë kundër dhe se këtë e kishte deklaruar edhe publikisht.
Nuk ishte kështu. Mediat publikuan sot, qëndrimin e tij në rrjetet sociale, kur kishte thënë se Partia Demokratike e kishte bërë këtë zgjedhje duke qenë e detyruar, pasi nuk shihte zgjidhje tjetër përballë regjimit të Ramës. Dhe në ligjërimin e tij të sotëm para mediave, e mohoi; ky ishte gabimi i tij i parë, por thelbësor. Në rast se pretendon se Partia Demokratike duhet të jetë transparente, e hapur për të gjithë dhe për cdo ide ndryshe, gjërat duhen thënë sic janë dhe duhet marrë përsipër përgjegjësia e aksioneve politike. Nëse Shehaj sheh si një nga dy arsyet kryesore të humbjes, djegien e mandatave, për ndërmarrjen e së cilës nuk ka shprehur kundërshtinë e tij, atëherë ashtu sikurse pretendon nga Basha, edhe ai duhet të mbajë përgjegjësi për humbjen.
Shehaj nuk paraqiti sot ndonjë platformë të qartë politike për fushatën që sapo ka nisur të zgjedhjeve për kryetar të Partisë Demokratike. Të vetmin kontribut që përmendi në PD dhe që sipas tij justifikon faktin e të qenit kryetar i partisë, është rezultati në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, edhe pse ky nuk eshte kontribut. Kontributet e tjera tha ai do t’i zbulojnë zgjedhësit. Në fakt, Agron Shehaj ishte një nga kandidatët më të votuar të Partisë Demokratike në Tiranë, por atëherë, ende nuk kishte folur.