Si po lëvrohet gjuha e komunikimit pas vendimit “Non grata”
Vendimi i Sekretarit Amerikan të Shtetit për shpalljen “të padëshiruar” në SHBA, të liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe familjes së tij, po lëvron në një shkallë të panjohur më parë gjuhën e komunikimit në politikë dhe diplomaci.
As në letrat e Makiavelit drejtuar “Dhjetëshes së luftës”, në shekullin 15-të, nuk lexon histori të një “ambasadori fuqiplotë” gati për qitje me armë të kalibrave nga më të voglat deri tek ato më të sofistikuarat.

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim gjatë inspektimit të stërvitjes ”Defender 21” në Shqipëri.
Ndërkohë Edi Rama, Kryeministër, i veshur me tuta, në “Ditën e hapur të Forcave të Armatosura Shqiptare në kuadër të stërvitjes “Defender 21”, u kujdes që lavdërimet t’ia dedikonte diplomatëve dhe jo ushtarakëve:

“Dua ti bëj një falenderim të posaçëm përfaqësues së qeverisë së SHBA në Shqipëri, ambasadores Yuri Kim, që me përkushtimin e saj mbreslënës i ka dhënë një cilësi të re marrëdhënieve mes dy shteteve duke u përfshirë në vetë të parë në mbështetjen e kërkesave dhe të nevojave të vendit tonë qoftë në drejtim të forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve tona të mbrojtjes, qoftë në drejtim të forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve tona të drejtësisë”.
Pak kohë pas kësaj deklarate, Sali Berisha poston në llogarinë e tij në facebook një ilustrim vizatimor me një dialog komik, që ngjan të jetë edhe si një përgjije për justifikimet e Departamentit Amerikan të Shtetit në notën “non grata”.
