Basha, reagim diplomatik lidhur me shpalljen “non grata” të Sali Berishës
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, pas statusit të Sali Berishës në fb, ka pasuar me një reagim diplomatik, duke u përpjekur që nga njëra anë, t’i dalë në krah liderit historik të demokratëve dhe nga ana tjetër, të shprehet brenda kornizave sa i përket marrëdhënieve me ShBA-në. Megjithatë, Lulzim Basha ka refuzuar të deklarojë në vetë të parë se e konsideron të pabazuar vendimin e ShBA-ve, ndaj ka zgjedhur të citojë Berishën. “U njoha me keqardhje me vendimin e Sekretarit të Shtetit për ish Presidentin dhe ish kryeministrin Sali Berisha. Duke nënvizuar qëndrimin e z. Berisha, i cili pasi shpreh keqardhjen për vendimin dhe e konsideron atë pa asnjë bazë konkrete, bëj thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim”, thotë ai në postimin e tij në fb.
Po në të njëjtën linjë me Berishën, Basha i atribuon atij përmbushjen e reformave të nevojshme për anëtarësimin në NATO, si dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, ku lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin kryekushte.
Por, në shprehjen e qëndrimit të tij, kryetari i PD-së sqaron se vendimi i sotëm i Sekretarit të Shtetit nuk cënon marrëdhënien e shkëlqyer të Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por Basha që deri sot i lejohet të jetë diplomatik në reagim, së shpejti duhet të mbajë qëndrim të qartë, sepse PD-ja, nga sot, ose do të vijojë të ketë marrëdhënie të shkëlqyer me ShBA-në, ose do të ketë marrëdhënie me Sali Berishën. Për të ardhur në terma më praktikë, a do të kërkojë Basha dorëheqjen e Sali Berishës nga lista e deputetëve të parlamentit të ardhshëm?