SHBA vendim drastik për liderin historik të demokratëve
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ndaluan hyrjen në SHBA, ish Kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij.
Në deklaratën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, publikuar më 19 maj 2021, edhe në faqen zyrtare të DASH, thuhet se në cilësinë si Kryeministër i Shqipërisë , Berisha ka qenë i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët politikë si dhe anëtarët e familjes.
“Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve antikorrupsion dhe masave të përgjegjësisë. Me këtë përcaktim, unë po rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë. Ky përcaktim bëhet në bazë të Rregullores 7031 (c) të Departamentit të Shtetit për Operacionet e Jashtme dhe Programet Përkatëse të Financimeve, 2021. Përveç Berishës, përcaktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berisha, djalin e tij, Shkelzen Berisha dhe vajzën, Argita Berisha Malltezi si individë që nuk kanë të drejtë të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara.”
Në postimin në Twitter, Sekretari Amerikan i Shtetit shkruan se: “Aktet korruptive të ish presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha minojnë demokracinë në Shqipëri.
Publikisht deklaroj se Berisha dhe anëtarët e familjes së tij të afërt si të papërshtatshëm për hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi të bashkuar kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri.”