“Ma sillje mua Bashën në FRPD, ta nxirrja me 5 vota!”

Në mes të debatit politik dhe sulmeve të kundërshtarëve të Lulzim Bashës në Partinë Demokratike, po vihet re prirja që vetë drejtues ose ish-drejtues të strukturave të larta të PD-së të mos kursejnë as akuzat ndaj vetes, duke u bërë protagonistë të manipulimeve në zgjedhjet brenda strukturave. Gjatë një debati mbrëmjen e djeshme në emisionin “Opinion”, ndërsa aludohej se duke qenë në krye të PD-së Lulzim Basha e ka të sigurt rikonfirmimin në krye të partisë, ish kreu i FRPD-së Lisandër Hoxha tha se është e qartë që zgjedhjet e 13 qershorit do të jenë fake, për shkak të kontrollit të kryetarit mbi strukturat dhe se “po të ma sillje mua Bashën në FRPD, ta nxirrja me 5 vota”. Kjo deklaratë duhet të konsiderohet e rëndë për funksionarë të një partie që dëshmojnë publikisht institucionalizimin e tjetërsimit të votës së anëtarësisë së partisë, aq më tepër që deklarojnë pa kurrëfarë droje se mund ta kryenin vetë këtë proces, nëse do të ishte në interes të tyre.

Një deklaratë po kaq të cuditshme, e lexoje në statusin në Fb të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, aktualisht anëtar i Kryesisë së partisë, Arben Ristani, i cili thoshte “të vetmen fitore që regjistron në historinë e tij, s’ka njeri që s’e di dhe s’e kujton si e mori. Me b..kë nëpër këmbë”. Në emisionin e djeshëm, pas interpretimeve të shumta se kjo deklaratë e vishte me përgjegjësi Ristanin si kryetar të KQZ-së në atë kohë dhe hidhte aludime se ai mund te kete përdorur postin për të ndikuar në marrjen e fitores nga Basha, vetë Ristani u përpoq t’i bënte katharsis postimit të tij. Kur u pyet nga drejtuesi i emisionit, ai tha: “I referohem rezultatit të ngushtë me rreth 100 vota mes Ramës e Bashës. Unë i dhashë drejtësi Bashës, duke kthyer në sanksionim ligjor, numërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar”. Po nëse ka pasur vec drejtësi, përse duhet të mbahet mend fitorja e Lulzim Bashës si kryetar i bashkisë së Tiranës në vitin 2011, kundër Ramës? Rezultati i ngushtë mund të jetë edhe më pak se 100 vota – zgjedhjet e 25 prillit e dëshmuan këtë – madje edhe një votë, dhe sërish, quhet fitore për njërin e humbje për tjetrin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *