Policia shpërfill Gjykatën Kushtetuese, dënon protestuesit

Shqipëria vazhdon të dënojë qytetarët, që protestojnë edhe pse ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që detyron Parlamentin, të heqë nga Kodi Penal nenin që e kriminalizon të drejtën e protestës.

Drejtoria e Policisë Tiranë, përmes një njoftimi në media, ka deklaruar se ka nisur procedimi penal për 15 shtetas, të cilët në solidarizim të palestinezëve, protestuan gjatë dy ditëve të fundjavës në Tiranë, duke kërkuar, që Shqipëria të dënojë sulmet e izraelitëve ndaj popullësisë civile në Gaza.

Protestat në Tiranë nuk u mirëpritën nga forcat e shumta policore, që ishin vendosur në hyrje të rrugës së Kavajës, aty ku nisi marshimi pro Palestinës.

Mediat në Tiranë raportuan përplasjen e policisë me protestuesit dhe shoqërimet e tyre në Komisariatin nr.3 në Tiranë.

Në njoftimin e sotëm të Drejtorisë së Policisë së Kryeqytetit, shoqërimet dhe procedimet penale të protestuesve justifikohen me neni 262, të Kodit Penal, paragrafi i parë i të cilit është shfuqizuar me vendim të Gjykatës Kushtetuese, në datë 4 maj të këtij viti: http://www.gjk.gov.al/web/NJOFTIM_2038_1-1.php

Juristët e policisë siç duket ende nuk janë njohur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që detyron Parlamentin të heqë paragrafin e parë të nenit 262, të Kodit Penal, që dënonte deri në një vit burg protestuesit, nëse ata nuk kishin marrë më parë leje nga policia.

Procedimi penal i protestuesve pro Palestinës në Tiranë,  vjen menjëherë pas qëndrimit zyrtar të Shqipërisë pro Izraelit, edhe pse OKB, flet për krime lufte.

Nga konflikti i javës, që lamë pas u shënua një bilanc tragjik me qindra viktima nga radhët e palestinezëve dhe mijëra të plagosur.

Raketat izraelite bombarduan edhe redaksitë e Al Jazeera, AFP-së dhe korrespondentëve të mediave ndërkombëtare në Gaza.

Dhe qëndrimi i Shqipërisë kuptohet pasi, siç duket, media dhe protestat janë “kalatë” që duhen rrëzuar për të pasur gjithmonë të drejtë në luftë e në korrupsion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *