Kundërshtarët e Bashës, ringritje pa plan

Nëpërmjet një konference për shtyp për mediat, kundërshtarët e Lulzim Bashës zyrtarizuan sot kërkesën për dorëheqje të parevokueshme të kreut të PD-së, pasi sipas tyre, ai është fajtori për humbjen e opozitës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Grupimi “Për PD-në” tha se dorëheqja e Bashës do të jetë fillimi i ringritjes së partisë Demokratike.

Bujar Nishani, Arben Imami, Edith Harxhi, Arben Ristani, Edvin Kulluri, Ibsen Elezi, Endira Bushati, Bislim Ahmetaj dhe Indrit Hoxha kaluan në plan të dytë parregullsitë në zgjedhje, veçanërisht  shitjblerjen e votës dhe shigjetuan si shkaktar ekskluziv të humbjes Lulzim Bashën.

“Ne jemi të vetëdijshëm që shitblerja e votës, përdorimi i administratës, përdorimi i të dhënave personale, ishin vetëm një pjesë e elementëve që përcaktuan rezultatin zgjedhor, por ne jemi po ashtu të vetëdijshëm që PD nuk arriti që të mundësonte mbështetje më të madhe. PD ka pasur rezultat të njëjtë me 4 vite më parë, PD nuk po garonte për vend të dytë, pjesëmarrja me 46% në zgjedhje është tregues domethënës që PD nuk frymëzoi, dhe as nuk siguroi mbështetje për fitore. Ne jemi të vetëdijshëm që përgjegjësia e zgjedhjeve i takon drejtuesve të Partisë”, thonë ata në deklaratën për media duke shtuar se dorëheqja e parevokueshme e Lulzim Bashës nga partia nuk është fundi i PD-së, por fillimi i ringritjes së saj.

Kundërshtarët renditën si përgjegjësi të Bashës mospjesëmarrjen në Reformën territoriale, në zgjedhjet lokale, daljen nga parlamenti dhe marrëveshjën e 5 Majit, që sipas tyre, dëmtoi në mënyrë të pakthyeshme PD-në dhe aleatët. Arben Imami u ndal tek marrëveshja e 17 majit, duke aluduar se bashkëpunimi Rama – Basha, nuk është ndërprerë që prej asaj date.

“Kemi informacion, Përpjekja ka filluar në 17 maj, ka qenë e pandërprerë, ka pasur këtë qëllim dhe ka dy dështime të mëdha, vijimi i kësaj rruge kuptohet se ku të çon në 2025”, tha Imami.

“Nëse ka një tentativë të tillë do të realizonte atë që është droja më e madhe e opinionit publik, një droje që ka ekzistuar edhe brenda PD, për ta kthyer në një aneks të Edi Ramës, asgjësimi i PD, por unë jam i bindur që kjo tentativë për ta asgjësuar apo të ta kthyer në një aneks të padëgjueshëm për qytetarët. Do ishte thika më e helmatisur pas shpine”, tha Bujar Nishani.

Por grupimi i kundërshtarëve të Bashës i vetëquajtur “Për PD-në” duket se as semantikisht nuk e justifikon emrin, pasi nuk ka folur për ndonjë plan, projekt, ide, vizion që do të mund të ringrinte Partinë Demokratike drejt pikës së fitores dhe ardhjes në pushtet.

Lidershipi aktual i Partisë Demokratike duhet të mbajë përgjegjësinë e tij mbi rezultatin në zgjedhje, pasi të bëjë një analizë të detajuar mbi arsyet e humbjes në tërësi, por edhe në zona specifike. Gjithashtu, duhet hetuar dhe dëshmuar shitblerja e votës nga partia në pushtet në rastet kur vetë emrat e fituesve të mandateve japin indicie për shitblerje vote. Por, nga ana tjetër, grupimi i kundërshtarëve të Bashës, që të jetë bindës, duhet të dalë me propozime aktuale për ringritje të PD-së. Nuk mjafton të rreshtohesh para mikrofonave në të njëjtën tavolinë të Karlsbergut, ku doli pas zgjedhjeve të 2017-ës edhe Jozefina Topalli. Të paktën, ndërrimi i tavolinës do të ishte një tregues modest për përpjekje reale për ringritje të PD-së.