E rrallë, 50 prokurorë kërkojnë “të mbahet qëndrim” ndaj Lulzim Bashës
Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj ka gjetur mbështetjen e 50 prokurorëve, vartësve të saj, në kërkesën drejtuar KLP-së për të mbajtur qëndrim ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili e etiketoi si “ikonë të krimit”.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, shqyrtoi sot këtë kërkesë dhe pas një procesi votimi, me shtatë vota pro dhe katër kundër, u vendos shtyrja e vendimmarrjes për mbajtjen e qëndrimit publik, për në mbledhjen plenare të radhës. Sipas KLP, shtyrja ka ardhur për arsye proceduriale që lidhen me administrimin nga ana e anëtareve, të një peticioni të nënshkruar nga 50 prokurorë të Prokurorisë së Tiranës, në mbështetje të kërkesës së drejtueses së tyre, prokurores Elisabeta Imeraj.
Kërkesa e Imerajt vjen pas deklaratave të kryera nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ndërkohë që po diskutonte për ecurinë e reformës në drejtësi në emisionin “Real Story”, solli në vëmendje procesin e rivlerësimit të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndaj drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj dhe e quajti atë një ikonë të korrupsionit dhe krimit.
“Ke një shembull të javës së kaluar, më flagrantin, ku përfaqësuesi ndërkombëtar për tetë orë me radhë i kërkoi Komisionit të Pavarur të Kualifikimit skualifikimin e kyeprokurores së Tiranës, një ikone të korrupsionit dhe të krimit dhe Komisioni nuk pati guximin dhe asnjë media nuk pati guximin ta mbulonte. Dhe kur unë e denoncova këtë fakt tek një studio e kolegut tuaj, kërcitën telefonatat dhe prapë asnjë media nuk e mbulonte”, deklaroi Basha në emionin “Real Story” në televizionin Neës 24 dhe shtoi se ky ishte një shqetësim edhe i partnerëve ndërkombëtarë.
Prokurorja Imeraj reagoi ndaj deklaratës së Bashës duke e konsideruar si një shantash për shkak të dosjeve që ai ka në prokurori.
“Deklarata e z.Basha është një sulm personal për shkak të dosjeve që ai ka patur në Prokurorinë e Tiranës dhe për këto akuza ai do të përballet në gjykatë”, u shpreh Imeraj nëpërmjet një mesazhi telefonik të lexuar nga drejtuesi i emisionit “Real Story”, Sokol Balla.
Por, duket se prokurorja nuk e la me kaq reagimin e saj, duke gjetur një formë të pazakontë dhe të paprecedentë deri më tani, atë të të kërkuarit të “mbahet qëndrim publik” ndaj akuzave të një politikani.
Imeraj, deri tani, duket se nuk ka preferuar t’i drejtohet gjykatës për “prishje imazhi”, sic ka ndodhur rëndomë në raste të ngjashme akuzash të lëshuara nga politikanë, por ka preferuar të zgjedhë një rrugë të parrahur më parë, atë të nisjes së proedurave të “vërejtje dhe masës disiplinore”.
Më 1 prill 2021 KPK konfirmoi në detyrë prokuroren Elisabeta Imeraj , ndërkohë që vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs që ishte ngarkuar nga ONM-ja të ndiqte ceshtjen e saj, akuzoi anëtarët e trupit gjykues të KPK-së se fshihnin fakte të rënda për Imerajn. Pak ditë para se se Komisioni të jepte vendimin, Imeraj kaloi me sukses procesin e verifikimit për pasurinë dhe pastërtinë e figurës në KLP, që i hapi rrugën për t’u caktuar më 26 mars si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës për 3 vitet e ardhshme.