Tiranë. Dorëhiqet ministri i Brendshëm, Rama: Kush gjuan me gurë shtëpinë, largohet!
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njoftoi lehtësisht në twitter dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili mbante postin më të rëndësishëm në kabinetin e tij qeveritar.
Në të njëjtin status, Kryeministri informoi se emëroi në këtë post, këshilltarin e tij, Sandër Lleshi, me gradën gjeneral, një emërim ky që ngjan si një “puç ushtarak” i provokuar nga Kryeministri.
Për opozitën largimi i ministrit të Brendshëm është një hap drejt pastrimit të politikës nga krimi. Lulzim Basha, Kryetari i Partisë Demokratike akuzoi Fatmir Xhafën për lidhje me krimin dhe kontrollin e prokurorisë.
Lëvizja publike e Kryeministrit u pasua me pas me mesazhin e ministrit të dorëhequr.
Mesazhi i plotë i ministrit Xhafaj pas dorëheqjes nga detyra:

‘’Pas më shumë se 1 viti në krye të Ministrisë së Brendshme, me vullnetin tim, i kam paraqitur Kryeministrit Edi Rama dorëheqjen time si Ministër i Brendshëm, duke e falënderuar për besimin e dhënë me emërimin në këtë detyrë të rëndësishme. Erdha në këtë detyrë për një mision të vështirë, shërbeva me pasion, me modesti dhe me devotshmëri në shërbim të shtetit, të ligjit dhe të qytetarëve. Sfidat kanë qenë tepër të mëdha, por jam krenar se në krye të një ekipi me integritet e përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kemi mundur të arrijmë suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend, disa prej tyre të konsideruara të pamundura për vite të tëra. Falënderoj të gjithë ekipin, kolegët, miqtë e mi dhe veçanërisht familjen time, si dhe të gjithë ata që më vlerësuan, besuan dhe më mbështetën gjatë gjithë kësaj periudhe. Vlerësim dhe mirënjohje nga zemra për të gjithë ata gra dhe burra në uniformë, për gjithçka bënë gjatë kësaj periudhe në luftë me krimin dhe paligjshmërinë. Një falënderim i veçantë edhe për partnerët vendas dhe ata të huaj, agjencitë ligj zbatuese vendase e ndërkombëtare, mbështetja e të cilëve ka qenë një inkurajim shumë i rëndësishëm.”
Por, në mesazhin e ministrit nuk mësohet asgjë për arsyet e largimit nga detyra e rëndësishme shtetërore, që përkon vetëm pak orë pas operacioneve të bujshme policore, ku u arrestuan dy ish deputetë të PS-së dhe afro 300 anëtarë të organizatave kriminale. Por, në disa qarqe flitet se dorëheqja e Fatmir Xhafajt mund të ketë lidhje me një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, që paralajmëroi paraardhësi i tij, Saimir Tahiri, i hetuar për lidhje me organizatat e trafikut të drogës.
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, hartuesi i Reformës në Drejtësi, gjatë detyrës së tij u akuzua nga opozita për lidhje me trafikun e drogës, për shkak të një dënimi të pakryer në Itali, të vëllait të tij, Agron Xhafaj. Pas vidiopërgjimit të publikuar nga opozita, vëllai i ministrit u dërgua në Romë për të kryer dënimin me burg, ndërsa ministri vazhdoi detyrën dhe kreu disa operacione të konsideruara të suksesshme për kapjen e grupeve kriminale dhe arrestimin e dy ish deputetëve të Partisë Socialiste.
Kryeministri në twitter e vlerësoi për kontribut të çmuar, por më vonë në një aktivitet në Lushnjë tha se kush gjuan me gurë shtëpinë e tij, largohet!