Johnny Depp mund të jetë gati për rikthimin më të bujshëm të karrierës së tij.
Pas vitesh larg ekskluzivitetit që e shndërroi në një prej yjeve më të mëdhenj të Hollywoodit, aktori mund të rikthehet sërish si Captain Jack Sparrow në filmin e gjashtë të Pirates of the Caribbean.
Lajmin e ka dhënë regjisori dhe producenti Jerry Bruckheimer, i cili konfirmoi se është në bisedime me Depp dhe se po punohet për skenarin e filmit të ri.
“Po flasim me Johnny-n, po punojmë për një skenar dhe shpresojmë që ta realizojmë”, deklaroi Bruckheimer për Deadline.
Një rikthim i tillë do të ishte spektakolar, sidomos pas përplasjes së gjatë ligjore të Depp me ish-bashkëshorten Amber Heard, që ndikoi ndjeshëm në karrierën e aktorit.
Depp kishte deklaruar më parë se nuk do ta vishte më kostumin e Jack Sparrow, duke thënë me ironi se nuk do ta bënte këtë “edhe nëse do t’i ofroheshin 300 milionë dollarë dhe një milion alpaka”.
Por Hollywoodi duket se po tenton ta ndryshojë historinë.
Sipas raportimeve, rikthimi mund t’i sigurojë aktorit më shumë se 22.5 milionë dollarë.
Roli i Jack Sparrow ishte ndër më fitimprurësit e karrierës së Depp dhe e ktheu personazhin në një ikonë globale.
Tani pyetja është nëse aktori do ta pranojë ofertën.
Jack Sparrow mund të jetë larguar nga skena, por duket se piratët nuk kanë mbaruar ende me Johnny Depp.



