MONAKO – Rikthimi i Paul Pogba në futbollin e nivelit të lartë ka marrë një tjetër goditje.
AS Monaco ka njoftuar ndërprerjen e kontratës me mesfushorin francez, vetëm një vit pasi ai iu bashkua klubit dhe një vit para përfundimit të marrëveshjes.
33-vjeçari, kampion bote me Francën në vitin 2018, nuk arriti të rikthehej në nivelin që e kishte bërë një prej mesfushorëve më të mirë të gjeneratës së tij.
Në një sezon me fanellën e Monacos, Pogba zhvilloi vetëm gjashtë ndeshje, duke dështuar të rikthejë ritmin dhe formën e dikurshme.
Rikthimi i tij në futbollin profesionist kishte nisur në qershor 2025, pas një periudhe jashtë fushave që përfshiu një pezullim 18-mujor për doping, dëmtime të shumta dhe një çështje të rëndë gjyqësore që përfshinte familjarë dhe persona të afërt me të.
Pogba, megjithatë, nuk hoqi dorë nga futbolli.
Ai zgjodhi Monacon si mundësinë për të nisur nga e para dhe për të ringjallur një karrierë që dikur dukej e destinuar për madhështi.
Por ëndrra e rikthimit nuk zgjati.
Nga kampion bote në vitin 2018, një prej yjeve më të mëdhenj të futbollit europian, te vetëm gjashtë paraqitje dhe një kontratë e ndërprerë para kohe.
Paul Pogba po përballet me një nga kapitujt më të dhimbshëm të karrierës së tij.



